Lajmet

Analistët: Tensionet në Kuvend ndikojnë negativisht në imazhin e Kosovës, duhet të bëhet rregullorja e re

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve të pozitës e atyre në opozitë, madje në një moment e gjithë situata u tensionua skajshëm, me tendenca të përleshjes fizike.

Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se situata të tilla, që ndodhin në Kuvend, e që nuk janë të rralla, po ndikojnë negativisht në imazhin e Kosovës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Telegrafin se tashmë është bërë e zakonshme të shohësh në Kuvend përplasje mes deputetëve.

“Tashmë është kthyer në një skenë të zakonshme të shohësh përplasje në mes deputetëve që shpesh degradojnë edhe në përplasje gati fizike. Situata të tilla, skena të tilla përveç që janë të papranueshme tashmë janë duke degraduar edhe imazhin e Kuvendit, i cili që nga viti 2015 e tutje në vazhdimësi është shoqëruar dhe është karakterizuar me përplasje verbale, madje dhe fizike në mes deputetëve”, potencoi ai.

Cakolli shtoi tutje se skena të tilla kanë ndikim në dy rrafshe.

“Skena të tilla kanë ndikim në dy rrafshe kryesore, së pari në rrafshin e brendshëm, këto lloj skenash që ndikojnë në acarimin e mëtutjeshëm ne mes të pozitës dhe opozitës, duke bërë kështu që një reflektim i tillë të jetë edhe të përkrahësit e subjekteve politike përkatëse, që përplasjet e tilla të deputetëve i vijojnë edhe përmes rrjeteve sociale apo formave tjera.

Së dyti, situata të tilla kanë ndikim negativisht në planin e jashtëm. Meqenëse, Kuvendi i Kosovës tashmë është prej kuvendeve ku pothuajse në secilin sesion mund të gjesh skena të tilla. Këto skena janë parë në vende shumë të ulëta të demokracisë”, deklaroi ai.

E për të shmangur situatë të tilla, Cakolli pohon se duhet të bëhet rregullorja e re e Kuvendit.

“Unë besoj që është e domosdoshme që këto skena të evitohen e madje të sanksionohen ligjërish. Rregullorja e re duhet të përfshijë sanksione për deputetë që sillen në mënyrë të tillë, për shkak se rregullorja aktualisht parasheh masa fare të lehta”, theksoi ai.

Gjithashtu, Cakolli thotë se edhe kryesuesi i seancës duhet të jetë më rigoroz në udhëheqjen e seancës,duke pamundësuar kështu arritjen në një situatë të tillë.

“Sa i përket deputetëve në emër të përveçëm nuk janë duke quar aspak mesazh të mirë”, pohoi ai

Situatën e krijuar ditën e enjte në Kuvend, e ka komentuar edhe Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu”.

Demhasaj për Telegrafin tha se në Kuvend duhet të merren vendime me interes për shtetin e jo të ketë situatë të tilla.

“Ne jemi dëshmitarë të sjellëve të tilla në Kuvend, të debateve të tilla, të fjalorit të tillë me fyerje e ofendime e sharje mes deputetëve atëherë kjo ndikon negativisht në imazhin e Kosovës, qoftë brenda apo jashtë vendit, sepse është organi kryesore përcaktues i popullit. Në atë organ duhet të ketë diskutime të merren vendime më interes për shtetin dhe qytetarët”, shtoi ai.

Sipas Demhasajt, e gjithë legjislatura e tetë do të përcillet me situata të tilla.

“Derisa ka fillu kështu kjo legjislaturë besoj që edhe do të vazhdojë më gjendje të tillë. Kjo për shkak të kaluarës së si VV është sillë në Kuvend. Tash partitë opozitare mundohen t’ia kthejnë në një farë mënyre VV-së kjo mundet me qenë arsye e parë, kurse e dyta mendoj se kemi deputetë që janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës pa pasur përvojë por edhe të dijës, këto bashkë kur bëhen na sjellin situata të tillë. Kanë mungesë të kapaciteteve për të diskutuar gjërat që janë atëherë fillojnë të merren me gjëra të tilla me debate dhe me bo zhurmë”, tha mes tjerash ai.

Demhasaj po ashtu theksoi se rregullorja e re e Kuvendit duhet të përfshijë disa norma etike.

“Rregullorja e Kuvendit përcakton nëse deputetët kalojnë atë se çfarë është paraparë ndoshta munden të merren masa, por mendoj që rregullorja është e vjetër dhe duhet të rishikohet, dhe të përcaktohen disa norma etike që të mos kemi situata të tilla”, tha ai.

Për situatën e krijuar ditën e enjte në Kuvend ka pasur reagime të shumta, ku deputetët u kritikuan ashpër për sjelljen e tyre. /Telegrafi/

Leave a Response