AN/OP

Dhjetor 1940/ Kur hoxha Ali Kraja mbajti fjalimin e famshëm mbi varrin e at Gjergj Fishtës

“Me ty, Patër Gjergj, kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”

Kur ndërroi jetë, Patër Gjergj Fishta, në varrimin e tij morën pjesë personalitete të Shkodrës e gjithë Shqipërisë. Patër Gjergj Fishta u varros me nderime të mëdha më 31 dhjetor të vitit 1940. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër personalitet e larta që mori pjesë në atë ceremoni dhe aty mbajti një fjalim brilant për mikun e tij të çmuar, at Gjergj Fishtën. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër intelektualët e famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës. Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të klerikut të shquar, at Gjergj Fishta, është një ndër fjalimet më të bukura të mbajtura në raste të tilla. Ajo çfarë e bën më të veçantë, është fakti se si një hoxhë i thurr një tekst të tillë të lartë një prifti.  Ata ishin intelektualë të shquar dhe ajo ishte me të vërtetë bashkëjetese fetare.

Fjalimi

“Poet kombëtar, Pater Gjergj!

Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…

Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.

Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…

Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, ka thënë ai.

Komunistët ia nxoren trupin nga varri dhe ia hodhen ne lumin Drin

Sipas Andreas Dushit, arsyet përse komunistët nuk e deshën Atë Fishtën janë të shumta. Në atë kohë, ato e cilësuan atë si një poet antikombëtar, ndërsa tani mendohet se “Lahuta e Malcis” ishte vepra më antisllave e shkruar ndonjëherë

Sipas dëshmisë së një komunisti që ishte pjesë e asaj furie, vendosur e pacituar në veprën “Françeskanët e Mëdhaj” të Atë Zef Pllumit, arkëmorti u thye dhe nga aty u nxor trupi i poetit i cili u mbyll në një thes, u ngarkua në një kamionçinë dhe u lëshua në pjesën më të rrëmbyeshme të lumit Drin.

Kështu, Atë Gjergji mbeti pa varr, por asnjëherë nuk u harrua. Ndër vatrat e ngrohta të mbrëmjeve të ftohta, kryesisht në krahinën e Zadrimës, recitohej herë nën zë e herë me zë të plotë “Lahuta e Malcis”, e kjo dëshmohet fare mirë edhe sot: Një pjesë e mirë e të moshuarve që jetojnë aty dinë përmendësh me mijëra vargje nga kjo kryevepër.

Leave a Response