AN/OP

FERRI KOMUNIST/ Nxjerrja e Ligjit për ekzekutimet me vdekje në vitin 1947

Deri në vitin 1947 për ekzekutimet me vdekje me vendim gjykate të formës së prerë, nuk ekzistonin rregulla të shkruara. Aty këtu mund të jetë mbajtur shënim vullneti i fundit i të dënuarit me vdekje, por kjo pa një rregull të caktuar.

Për herë të parë, kjo u rregullua me ligjin nr.390, datë 10.1.1947 “Mbi ekzekutimet e dënimeve”, në të cilin u vendos që Ministria e Punëve të Brendshme të mbante evidencën mbi ekzekutimet në të gjithë vendin, evidencë e cila nuk pati vijimësi në ruajtjen e arkivin e saj. Në vitet e tjera nuk pati më ligje ku të përcaktohej kjo gjë, por kjo u rregullua me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme. Në ligj e drejta e kontrollit mbi këto ekzekutime i jepej prokurorit të çështjes.

Në kapitullin e dytë, përcaktohej se dënimi me vdekje nga gjykata mund të jepej me pushkatim ose me varje. Ekzekutimi shtyhej në rast se ishte paraqitur kërkesë për ekzekutimin, pikë kjo krejt e pazbatueshme në realitet. Në nenin 7 të ligjit përcaktohej se dënimi me vdekje ekzekutohej nga MPB-ja në një lokal ose vend të mbyllur ku nuk mund të hynte publiku. Sipas kësaj pike ekzekutimet mund të bëheshin në dhoma të mbyllura. I dënuari lajmërohej një ditë më parë se do ekzekutohej.

Të pranishëm në vendin e ekzekutimin përveç ekzekutorëve merrnin pjesë:

-Prokurori i çështjes

-I deleguari i punëve të brendshme

-Mjeku

-Sekretari

Një kopje e procesverbalit të ekzekutimit i bashkohej akteve gjyqësore, gjë që nuk është bërë për të gjitha rastet.

Sipas nenit 9, kufoma e të ekzekutuarit mund t’u dorëzohej familjes, ndërsa në rast refuzimi varrosej nga shtetit “me shpenzimet e tij”. Vendosej fjala “mund” për ta lënë tërësisht në dorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila nuk ia jepte kurrë familjarëve kufomën e të dënuarit./kujto.al

Leave a Response