Arberi

Ftesa e Ramës për bashkëqeverisje, reagon Basha: PD e vendosur për të udhëhequr shqiptarët drejt ndryshimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të premten ka publikuar një video nga fjalimi i mbajtur dje në Kuvend, përmes të cilës, ka vendosur t’i përgjigjet kryeministrit Edi Rama, në lidhje me bashkëqeverisjen.

Në videon e postuar nga kryedemokrati Basha, theksohet se PD është e vendosur të ecë përpara, me qëllimin, për të udhëhequr shqiptarët drejt ndryshimit.

Postimi i tij në rrjetet sociale, vjen menjëherë pas deklaratës së Ramës, i cili u pyet nga gazetarët për mundësinë e një bashkëqeverisjeje, ndërsa kryeministri tha se tani është koha që të thyen barrierat.

Basha, i drejtohet kryeministrit, duke theksuar se i vjen mirë që ndjek zhvillimet e brendshme brenda forcës së tij politike me aq shumë vëmendje, dhe e paralajmëron atë për fundin e tij.

“Por edhe një herë po të them, bën mirë që i ndiçka ngjarjet brenda familjes tonë politike me kaq kërshëri, mëso, po shikoje deri në fund sepse as ty, askënd tjetër që ka bërë hesap të vendos interesat personale mbi interesat e shqiptarëve, nuk i pret ndonjë fund i ndryshëm nga ai që i rezervon çdo shoqëri dhe çdo komb që ka vendosur të ec përpara”, shkruan Basha, raporton TCH.

Më tej, kryedemokrati thekson se PD ka vendosur të ecë përpara dhe të udhëheqë përpara shqiptarët drejt ndryshimit që meritojnë, sepse kjo rrugë mund të bëhet vetëm duke mobilizuar të gjithë shqiptarët, për të çmontuar pengesën tetë vjeçare të vendit.

“Dhe po të them, Partia Demokratike ka vendosur të ec përpara dhe të udhëheq përpara shqiptarët drejt ndryshimit që meritojnë. Dhe kjo rrugë mund të bëhet duke mobilizuar të gjithë shqiptarët, që pikë së pari të heqim, shkulim, çmontojmë dhe gërryejmë pengesën tash 8 vjeçare që je ti dhe lemeria jote që e quan qeveri”, tha Basha

Leave a Response