AN/OP

Gjyqi i Vlorës, 6 dënime me vdekje dhe 107,5 vjet burg për sipërmarrësit e pafajshëm

Në vitet ’60 regjimi komunist nisi fazën e dytë të dënimit të kulakëve, që vrau dhe burgosi bijtë, siç kishte bërë dikur me baballarët e tyre. Xhafer Sadiku përshkruan në librin e tij “Shqipëria nën sundimin komunist 1944-1990” gjyqin e Vlorës të nëntorit 1967, që dënoi me varje dhe pushkatim 6 sipërmarrës të pafajshëm dhe çoi në burg shumë të tjerë

Xhafer Sadiku

Gjatë debateve politike brenda udhëheqjes komuniste në periudhën 1965-1966 u kritikua metoda burokratike e deriatëhershme dhe u kërkua një stil revolucionar në punë… Në fakt, ajo që i shqetësonte më shumë strukturat e regjimit, ishte përbërja politike e sipërmarrësve privatë. Prokurori i Përgjithshëm informonte se: “Nga të dhënat e organeve të prokurorisë…rezulton se sipërmarrësit privatë në përgjithësi dhe sidomos ata që kanë vepruar në rrethet Lushnjë dhe Fier, janë elementë me orgjinë ose qëndrim të keq politik”. Që nga viti 1963 dhe deri në 1966, në rrethet Vlorë, Fier e Lushnjë me ndërmjetësinë e komiteteve ekzekutive të rretheve Vlorë e Lushnjë, kryesitë e 23 kooperativave bujqësore kontraktuan me specialistë të ndërmarrjeve të ndërtimit, kryesisht të rinj në moshë, për ndërtimin e 45 objekteve me karakter bujqësor, blegtoral e social-kulturor.

Duke qenë se shumica e sipërmarrësve privatë ishin të rinj nga familjet të cilësuara kulakë, goditja kundër tyre do të ishte e tillë sa të trondiste tërë vendin. Për të realizuar goditjen kundër “grupit” të kulakëve, punëtori K… H… nga Krapsi i Fierit, që punonte tek sipërmarrësit privatë, informonte Degën e Brendshme të rrethit të Fierit sikur Faik Margaritari e Skënder Mustafaraj, të cilët qenë në krye të sipërmarrësve privatë, kishin tendenca arratisje. Por denoncimet e tij dega e Fierit nuk i mori parasysh, madje punëtori operativ i Sigurimit deklaronte se ai gënjente. “Këtë denoncim e bën, shënonte në fund punëtori operativ, me qëllim që ta ndihmojmë të pasaportizohet në qytet”. Në qershor 1966 denoncuesi raportoi përsëri se grupi qe bërë gati për t’u arratisur jashtë shtetit, dhe se me ata do të ishte edhe ai. Me të dhënat e tij, ata u arrestuan nën akuzën “tradhti ndaj atdheut”. Deri atëherë ishin dënuar me qindra të pafajshëm për “tradhti ndaj atdheut”, por regjimi shfrytëzoi rastin për të dhënë goditje masive kulakëve. Çështja u mor në dorë nga Enver Hoxha i cili, në janar 1967, “porositi” prokurorinë të ndryshonte akuzën. Në raportin e Prokurorit të Përgjithshëm drejtuar Këshillit të Ministrave, theksohej: “Më porosinë e shokëve të Komitetit Qendror të Partisë, Prokuroria e Përgjithshme në janar të këtij viti e rifilloi këtë çështje, duke zhvilluar hetime të gjëra.., për të zbuluar gjithë veprimtarinë kriminale të kulakëve dhe matrapazëve në dëm të pasurisë socialiste”. Duke qenë se përgjegjësinë penale e kishte vendosur udhëheqja e partisë, prokurorisë i mbetej të “provonte” akuzën, me një akt ekspertimi të “porositur”. Në raportin e Prokurorit të Përgjithshëm vihej në dijeni qeveria se, sipas vendimit të Komiteti Qendror të Partisë, “… Për politike penale, megjithëse fajtorë, nuk u dërguan në gjyq 22 kryetarë, 22 shefa llogarie dhe 3 punonjës të kooperativave bujqësore të ngarkuar me administrimin e materialeve, 3 brigadierë dhe 4 shoferë të parqeve automobilistike Elbasan dhe Korçë si dhe 5 punonjës të komiteteve ekzekutive”. Ata ishin “me biografi të mirë” dhe, për këtë arsye, ishte dhënë porosi nga Komiteti Qendror i Partisë të zhvilloheshin gjyqet shoqërore në mbledhjet e popullit. Këto do të bëheshin pas gjykimit të “grupit të kulakëve”, në bashkëpunim me organet e partisë e të pushtetit në rreth. “Qëllimi i gjyqeve të tilla”, – theksohej në raportin e prokurorisë, – “është që nëpërmjet materialeve faktike të shihet si zhvillojnë armiqtë e klasës luftën kundër nesh, sidomos në fushën ekonomike, format që përdorin dhe mbi këtë bazë të rritet vigjilenca e masave punonjëse”. Për të dhënë efekt sa më të madh terrorizues mbi administratën, prokurori propozonte që “në gjyqin që do të zhvillohet kundër grupit të kulakëve të marrin pjesë edhe punonjësit e dikastereve, komiteteve ekzekutive, ndërmarrjeve dhe kooperativat bujqësore që në një formë apo në një formë tjetër kanë pasur të bëjnë me veprimtarinë e këtyre sipërmarrësve private…Në qoftë se shihet e arsyeshme, për eksperiencë dhe për nxjerrje konkluzione e mësime, mund të marrin pjesë dhe punonjës nga rrethe apo dikastere të tjera”. Në mbledhjen e qeverisë, më 9 nëntor 1967, u propozua që në seancën kur do të mbahej pretenca e prokurorit dhe në seancën kur të shpallej vendimi i gjykatës, duhej të merrnin pjesë “…të paktën gjithë kryetarët e kooperativave bujqësore të rrethit përkatës”. Gjyqi kundër sipërmarrësve u zhvillua më 22 nëntor 1967 në Gjykatën e Qarkut Vlorë.

Deklaratat e të arrestuarve. Të arrestuarit e denoncuan aktin e ekspertimit dhe deklaruan:

Skënder Mustafaraj: “…Ekspertimi nuk është objektiv, mbasi nuk është bërë drejt llogaritja e punimeve. Për ketë arsye kërkoj që dënimi me vdekje të ndryshohet”.

Mehmet Bregu: “…Nuk është e vërtetë që unë t’i kem marrë kooperativës para më tepër duke shënuar se gjoja kam përdorur gëlqere e çimento më tepër. Aktmarrëveshjen e kam bërë mbi insistimin e kryesisë së kooperativës, se unë në fakt s’doja të merresha me sipërmarrje…”

Xhemil Margaritari: “…Jam shpërblyer vetëm për punën e kryer. Me tepër s’kam marrë asnjë lek. Gjatë ekspertimit mund të jenë bërë përllogaritje jo në përputhje me realitetin…”

Sezai Çeloaliaj: “…Nuk kam kursyer asnjë material në dëm të objektit. Nuk u kam mbajtur hakun punëtorëve, unë ata i kam paguar në bazë të akordit…”

Luan Mersini: “…Kam qenë i lejuar rregullisht për ushtrimin e profesionit dhe kam paguar tatim-fitimin mbi të ardhurat…. Ndonëse familja ime është cilësuar kulak, unë nuk kam ndonjë rrezikshmëri shoqërore sa të meritoj një dënim kapital…”

Arif Hazizi: “…Objektet i kam dorëzuar në bazë të situacioneve dhe kolaudimeve të bëra nga teknikët. Asnjëherë nuk jam likuiduar tërësisht pa i kaluar këto objekte nga komisioni kontrollor për verifikimin e gjendjes së ndërtimeve ”.

Sipërmarrësve që po dënonin ishin kontaktuar nga vetç pushtetarët dhe me rekomandim të tyre. Kështu, në raportet e prokurorisë, shkruhet se në rrethin e Lushnjes këto rekomandime u bënë nga shefat e seksioneve, të cilët dhanë për sipërmarrësit opinione pozitive. Kështu, p.sh., në letrën që shefi i seksionit të arsimit i drejtonte një shkresë kryetarit të kooperativës bujqësore Këmishtaj për të pranuar si sipërmarrës Skënder Mustafaraj dhe specialistët e tjerë, për ndërtimin e shkollës, pasi, theksonte ai, janë të mirë. Në rrethin e Vlorës sipërmarrësve nuk iu paraqit nevoja për rekomandime të tilla, për arsye se vetç komiteti ekzekutiv ishte i preokupuar për gjetjen e tyre. Akti i ekspertimit mbi të cilët ndërtohej akuza përmbante të dhëna të rreme, gjë që u pranua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, disa ditë përpara gjyqit: Unë, – theksoi Faik Ahmeti, is- kryetar komiteti ekzekutiv, -“lejova që ndërtimet të bëheshin të rënda, të vështira, që kërkonin teknikë të përgatitur dhe shumë material si çimento, hekur, tulla etj., në vend që ato të bëheshin të thjeshta, me materiale vendi…Nuk duhet të tërhiqesha përpara kuadrove të kooperativave bujqësore që mendonin se nuk kishin mundësi që t’i bënin vetë ndërtimet”. Në fakt, ndonëse të pafajshëm, ata u dënuan se ishin nga familje të cilësuara kulak.

Dënimet. Skënder Ali Mustafaraj, dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Mehmet Qani Bregu, dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Xhemil Faik Margaritari, dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Sezai Axhem Çeloaliaj, dënim me vdekje, varje në litar, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Luan Tefik Mersini, dënim me vdekje me pushkatim, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Arif Ibrahim Hazizi, dënim me vdekje me pushkatim, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Enver Ali Mustafaraj, dënim me vdekje me pushkatim, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. (Presidiumi i Kuvendit Popullor i fali jetën dhe u dënua me 25 vite burg.

Kujtim Riza Mustafaraj, me 25 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Skënder Sefedin Ibrahimi, me 25 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Faredin Vesel Kurti, me 20 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie, humbje e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Hysen Islam Hoxha, me 15 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie.

Të tjerët, me “biografi të mirë” u dënuan me burgime të lehta. Më 2 dhjetor 1967, kryetari i Gjykatës së Lartë i dërgonte Presidiumit të Kuvendit Popullor vendimin e Gjykatës së Qarkut Vlorë mbi të dënuarit me vdekje, kërkesat e tyre për falje si dhe një relacion përmbledhës. “Jemi të mendimit’, -shkruante ai, – “që kërkesat për falje të refuzohen”. Më 8 dhjetor Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi të refuzohej falja e jetës për gjashtë nga të dënuarit me vdekje, ndërsa njërit ia ktheu me 25 vjet burg.

Ndërkohë Sigurimi kishte përgatitur një listë me emrat e atyre që kishin marrë pjesë në punimet e kryera nga sipërmarrësit dhe së bashku me organet lokale, do të merreshin masat e nevojshme për largimin e tyre nga qyteti duke i vendosur në fshat nga kishin ardhur.

Leave a Response