Lajmet

Hamza: Nëse ftohemi të jemi pjesë e dialogut duhet të shohim se cila është platforma e Qeverisë

Presidentja Vjosa Osmani në takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett të mërkurën tha se për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi do të koordinohen dhe do t’i japin hapësirë opozitës që të jenë pjesë diskutimeve.

Por Partia Demokratike e Kosovës ende nuk di nëse do të marrë pjesë kur Qeveria Kurti t’i ftojë në diskutimet për dialogun Kosovë-Serbi.

Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza thotë se duhet fillimisht të shohin platformën e Qeverisë dhe temat të cilat do të diskutohen

Ai në konferencë për media theksoi se nuk mund të flasin për situata hipotetike por do të shohin se si do të veproj Qeveria dhe Presidenca lidhur me këtë çështje.

“Secili institucion i ka përgjejgësitë e veta. Qeveria i ka përgjegjësisë e veta edhe me ligj edhe me Kushtetutë, presidentja i ka përgjejgësitë e veta bazuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligj, dhe opozita i ka përgjegjësitë e veta si opozitë prandaj secila prej këtyre brenda përgjegjësive të veta ligjore dhe kushtetuese duhet më i kry punët e veta, por përgjegjësia kryesore është barrë e qeveris ë dhe presidencës. Ne nuk mund të flasim për situata hipotetike, ne presim se çka do të veproj Qeveria, si do të veproj presidenca, cila është platforma e tyre, mbi bazën e çfarë dokumente, cila tema dhe pastaj mund të flasim”, tha Hamza.

Hamza u pyet edhe lidhur me rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, e për çka tha se kjo çështje duhet të mendohet mirë nga qeveria dhe se vendimi iu takon atyre.

“E para e kanë heqë taksën. Qeveria e kaluar ka heq taksën pastaj kur ka vendos reciprocitetin e ka vendos në kohën kur e ka ditë kur i kanë mbet edhe pak kohë në detyrë. Por këto nuk janë çështje që duhet të kenë kalkulime afatshkurtër, janë tema serioze dhe duhet të jenë mirë të përgatitura, mirë të menduara dhe të qëndrueshme. Kjo është çështje dhe kompetencë e qeverisë”, deklaroi Hamza

Leave a Response