Lajmet

Hasani: Vendimi i Osmanit – shkelje e pastër kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka vlerësuar jokushtetues vendimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për të shkarkuar kryesuesen e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Hasani në një prononcim për Kohëa.net, ka numëruar disa arsye pse ky vendim i Osmanit është jokushtetues. Po ashtu e ka cilësuar si mesazh frikësimi për organet tjera të pavarura.

“Kjo është shkelje e pastër kushtetuese dhe atë për disa arsye. Në rend të parë, Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare me sistem republikan nuk mund të shkarkojë krye në veti asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo prerogativë iu takon autoriteteve emëruese. Vetëm atëherë kur këto autoritete dështojnë, atëherë Presidenti i Republikës, në konsultim edhe me to, mund të bëjë zgjedhjen dhe emërimin e kandidatit të përshtatshëm. Në të gjitha rastet tjera, Presidneti ka vetëm të drejtën e emërimit, jo të zgjidhjes. Kjo sepse Presidenti duhet të bëjë konsultimet e duhura për një gjë të tillë me autoritetin emërues të anëtarit të KQZ”, ka thënë Hasani për Kohën.

Sipas tij, presidentja e Kosovës dhe çdo president që i takon një demokracie kushtetuese parlamentare, nuk ka vendimmarrje autonome.

“Çdo emërim dhe shkarkim (secilin dekretim) e bën si pjesë e një vendimmarrje zingjrore. Kështu është edhe më KQZ (që në vendet tjera ka emërtime të ndryshme, por funksioni është tërësisht i njëjtë me KQZ në vendin tonë). Së dyti, në krye të KQZ gjendet një profesionist që për autoritet zgjedhës e ka një organ gjyqësor që është instanca e apelit apo instanca më e lartë në gjyqësorin kosovar. Kështu është edhe jashtë Kosovës, në vendet tjera. Për këtë arsye në Kushtetutën e Kosovës (neni 84.26) Presidentit ia jep të drejtën vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, ka shtuar Hasani.

Ai thotë se Presidenti i Republikës nuk është organ apo institucion i faktit dhe nuk ka as mekanizma e as autoritet kushtetues për të gjykuar mbi dinamikat dhe ndodhitë brenda KQZ, e aq më pak sipas tij, të vlerësojë integritetin dhe punën e anëtarëve të KQZ-së, përfshirë të kryesuesit të tij.

“Presidenti nuk është organ ligj-zbatues, por zbatues i Kushtetutës. Analizën e fakteve për punën e KQZ e bëjnë vetë anëtarët e KQZ dhe autoritetet emëruese. Presidenti duhet me ta të konsultohet vetëm në rastet kur autoritetet në fjalë propozojnë ndërprerjen e mandatit, asnjëherë duke iu pri me vlerësimet e veta autoriteteve emëruese (në këtë rast Gjykata Supreme si autoritet emërues i zonjës Valdete Daka)”, është shprehur Hasani

Leave a Response