AN/OP

Kërkesa për autonominë e Shqipërisë në Kongresin e Parë Kombëtar në Manastir 1908

Konkluzionet e diskutimeve që u zhvilluan në seancat e fshehta ku u përfshinë në programin politik kombëtar prej 18 pikave. Ky program iu paraqit parlamentit turk në emër të popullit shqiptar, përmes deputetit të Korçës, Shahin Kolonja, i cili njëherësh ishte edhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit.

Nga: Prof.Dr. Vebi Xhemaili

Ndër vendimet kryesore, përveç alfabetit, ishte edhe: Kërkesa për njohjen e Autonomisë së Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. Konsulli rumun nga Stambolli, në lidhje me vendimet politike të Kongresit të Manastirit, do të deklarojë: “Në ditët e kaluara, në një nga mbledhjet në përbërje të ngushtë të punës të Kongresit shqiptar, nga krerët e tij caktohet qartë Programi politik i shqiptarëve. Ky program i është besuar vetë Shahin Kolonjës, deputetit shqiptar nga Korça. Në të pohohet se qëllimi i shqiptarëve nuk ishte vetëm problemi i shkollave, hapja dhe zhvillimi i tyre në gjuhën shqipe, por problem kyç për ata ishte njohja e kombit shqiptar nga politika zyrtare e qeverisë turke, por edhe autonomia e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane.

Në kuadër të autonomisë u kërkua që nëpunësit shqiptarë të jenë civilë dhe me veshje kombëtare, që deri atëherë e kishin të ndaluar të shkonin në punë në administratën turke me veshje kombëtare. Po ashtu, u kërkua që shqiptarët mos të dërgohen nëpër vendet e largëta të Perandorisë, por shërbimin ushtarak ta kryejnë në vendlindje. Kongresi i Manastirit edhe pse nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e unifikimit të alfabetit, në përfundimin e Kongresit, në fjalën e tij Fishta i madh do të deklarojë: “Komisioni qe i detyruar të marrë dy abe-ceda”. Vendimet e tij patën rëndësi të madhe historike dhe politike për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit e të kulturës shqiptare drejt bashkimit kombëtar.

Një gjuhë, një komb, një shtet. Kongresi i Manastirit ka shqyrtuar më së shumti çështje me karakter politik. Në fund u vendos që Kongresi i ardhshëm të mbahet në vitin 1910. Në fund, Kongresi dha rezultatet e pritura, edhe pse vendosi pranimin e dy alfabeteve, por që mbështeteshin kryesisht në alfabetin latin, që të përdoreshin bashkërisht në mesin e shqiptarëve, të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht nëpër shkolla, me disa modifikime dhe me disa shtime germash. Më 22 nëntor, Kongresi vendosi që të thirret një kongres tjetër në Janinë në korrik 1910, për çështje të gjuhës.

Vendimet e Kongresit të Manastirit kishin një rëndësi të veçantë, po të merret parasysh vendosmëria e shqiptarëve për të mbrojtur identitetin e tyre nacional. Nga ky aspekt historik, përfaqësuesit shqiptarë patën vizion të qartë në vendimin e tyre që për bazë të merret alfabeti latin.

Në veçanti pati jehonë të fuqishme kombëtare diskutimi i profesorit të teologjisë në Stamboll, Haxhi Vildan Faik Dibra, i cili merrte pjesë së bashku me dy delegatë të tjerë të dërguar nga klubi xhonturk “Bashkimi” i Stambollit.

Gati të gjithë të pranishmit qëndronin me një skepticizëm kur e mori fjalën Haxhi Vildani, delegatët gati u shtanguan, pasi e dinin se ky ishte aktivist i fuqishëm i xhonturqve dhe se kishte ardhur me mision nga ana e tyre në këtë Kongres. Të gjithë pritnin se çfarë qëndrimi do të mbajë Haxhi Vildani nga Dibra, në lidhje me alfabetin. Ky, në fjalimin e tij tejet patriotik, në mes tjerash, potencoi: “Se besimi dhe Kurani nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin”. “Shqipëria tani është e lumtur, sepse tani ajo është e bashkuar me anën e alfabetit, që është një nga instrumentet më të fuqishme e më të mira, për të përhapur përparimin në mes të popullit”.

Kongresi i Manastirit me vendimet e marra për një alfabet unik kombëtar, si dhe me programin e miratuar politik prej 18 pikash, bëri që Lëvizja Kombëtare të hyjë në fazën përfundimtare të avancimit të çështjes nacionale për autonomi.

Klubet shqiptare u organizuan gati në çdo vend të banuar me shqiptarë duke u shndërrua në qendra të përhapjes së idesë kombëtare, të përhapjes së arsimit e të kulturës. Klubet e para shqiptare që u përhapën gjatë muajit gusht-shtator të vitit 1908, ishin mbi 40, duke filluar; Vlora, Elbasani, Pogradeci, Shkodra, Kumanova, Tetova e tjerë. Një rëndësi të veçantë në ngritjen e vetëdijes kombëtare ka luajtur klubi i Shkupit.

Mbarimi me sukses i punimeve të Kongresit Mbarëkombëtar në Manastir dhe marrja e vendimeve jetike në favor të çështjes kombëtare, patën rëndësi jetike për zgjidhjen e rrugës drejt autonomisë. Këto vendime të rëndësishme historike në Manastir vulosën rrugën e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, se ajo i takon Evropës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me lindjen. Marrja e këtyre vendimeve kolosale nga krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me të madhe u pengonte reaksionarëve xhonturq. Ata tanimë ishin të bindur se vendimet e marra në Kongres çonin drejt vetëvendosjes, pra, ishte fillimi i rrugës drejt shkëputjes nga Perandoria Osmane.

Prandaj, politika xhonturke për të penguar rrugën e unitetit politik të shqiptarëve të arritur me sakrifica të mëdha në Kongresin e Manastirit, i shtyri xhonturqit të veprojnë me të gjitha metodat për të përçarë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo përdori metodën e vjetër romake, “devide et impera”. Në radhë të parë ajo e filloi luftën për të përçarë klubet shqiptare, Ndërsa disa udhëheqës të Lëvizjes i bleu me lekë (dukatë), që të propagandonin vetëm alfabetin arab, në vend të atij latin. Disa veprimtarë nga shqiptarët myslimanë ranë në grackë,të nxitur nga politika xhonturke, që të luftojnë për idenë panislamike, “një fe, një komb”.

Kongresi i Manastirit hyri në histori si “Kongresi i Abesë”, sepse mori vendime të rëndësishme në shumë fusha të jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore dhe fetare. Duke zgjidhur rrugën e njësimit të alfabetit, ai zgjodhi edhe një problem të prehtë politik, duke i dhënë një kapital të fuqishëm Lëvizjes sonë Kombëtare në rrugën e tij për autonomi. Në këtë Kongres u bë bashkimi i shqiptarëve dhe krahinave të ndryshme të Shqipërisë Etnike.

Ky tubim mbarëkombëtar forcoi lidhjet midis tyre. Kongresi forcoi edhe më shumë ndjenjat kombëtare, u dha mundësi atdhetarëve për një qëndrim unik në strategjisë politike të popullit shqiptar, të cilët me platformë shërbyen në rrugën e saj drejt Pavarësisë së Shqipërisë.

Duke folur për rëndësinë e Kongresit të Manastirit, gazeta “Lirija” e Selanikut do të shënojë: “Ishte pra një ngjarje më rëndësi për ne, ku pamë shqiptarët të ardhur nga veriu, jugu, lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë…atëherë kuptuam se vërtet paska një komb, dhe se ky komb qenka i gjallë”. Kjo gazetë, pas përfundimit të Kongresit, do të shënojë: ”Mbledhja e Manastirit na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës i tregoi qenien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar”.

Kundër këtij qëllimi të shenjtë kombëtar shërbente roli i klerit reaksionar me klerikët dhe institucionet e tyre fetare, të cilët duke u shërbyer të huajve, iu kundërvunë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në këtë fushatë antishqiptare u përfshi edhe qeveria turke. Ajo vendosi të luftonte me të gjitha mjetet e saj kundër mësimit të gjuhës shqipe, përdori mjete financiare, u premtuan poste të ndryshme politike për deputetë dhe myftinj. Kleri mysliman, por edhe ai katolik, ishte vu në shërbim të të huajve. Po ashtu, shumë agresiv ka qenë kleri ortodoks, ndihmuar nga qeveria greke, e cila bëri çmos dhe aplikoi të gjitha mënyrat për mbylljen e shkollave shqipe, që ishin çerdhet nga ku përhapeshin çdo ditë e më tepër shkronjat shqipe. Ai ndihmoi me zell pushtuesit e administratës turke, për ndjekjen e gjuhës shqipe.

Rrënjët e kësaj politike ishin shumë më të thella se sa dukej në sipërfaqe, politika e tyre çonte në shkombëtarizimin e shqiptarëve. Këta ishin kundër përparimit të gjuhës dhe shkollës shqipe, ishin kundër shkrimit shqip përparimtar me shkronja latine. Këta ishin kundër klubeve dhe shoqërive të kohës dhe kundër çdo gjëje tjetër shqiptare, u munduan ta kanalizonin ujin në mullinj të huaj, të perandorëve të tyre.

Kjo që u tha më lartë, më së miri do ta kristalizojë K. Kristoforidhi, kur do t’i shkruajë në një letër N. Naços, ku midis të tjerave i shkruante, “se ata që nuk duan fare të shkruhet gjuha shqipe janë; mitropolitët, dhespotët e priftëria”.

Ndërsa gazeta “Drita “ e Sofjes vinte me të drejtë shenjën e barazisë midis rolit negativ të fesë dhe të çështjes kombëtare dhe qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare turke, greke e tjerë.

(Fragment nga libri “Shqiptarët e Maqedonisë në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar (1844-1914), Autori Prof.Dr. Vebi Xhemaili)

Leave a Response