Lajmet

Pas më shumë se 20 vitesh, Ramush Haradinaj e pranon se Betejën e Loxhës e ka udhëhequr Kol. Tahir Zemaj

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për kohën sa ai ishte komandant në zonën e Dukagjinit.

Ai ka komentuar pikën e 43 në aktakuzën e Gjykatës Speciale ku thuhet se “në një numër rastesh, përfshirë edhe në fillim të shtatorit të vitit 1998, në zonën operative të Dukagjinit, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, ndërmorën hapa për të frikësuar dhe për të vendosur pushtetin e tyre mbi njësitet që kishin lidhje me LDK’në, ndër të cilat edhe FARK të lidhura me qeverinë në mërgim”.

“A po më pyetni si politikan, si ushtar i atëhershëm apo si njeri që ka kaluar nëpër gjykata”, u përgjigj Haradinaj.

“Po filloj si njeri që ka kaluar nëpër gjykata. Është normal që Prokuroria ka me i mbledh krejt të zezat e mundshme potencialisht që ekzistojnë edhe me jau gjujat këtyre njerëzve. Kjo është detyra e Prokurorisë dhe aktakuzës”, tha Haradinaj për RTV Dukagjini.

“Kosova nuk duhet me u shqetësu për krejt ato që thuhen në aktakuza. Kosova duhet me punu me profesionalizëm me ja u shpjeguar gjykatësve se a është fajësia e dëshmueshme”, shtoi i pari i AAK’së.

Por a ishte ai dëshmitar i një takimi me Tahir Zemajn?

“Për besë nuk më kujtohet biseda mes njëri-tjetrit. E di që ka ndodhur një takim por s’më kujtohet biseda mes njëri-tjetrit”, tha Haradinaj.

“Na kemi pasur dallime tjera por kur na msyni ushtria e Serbisë në Loxhë u detyruam me u bo bashkë. Aty vetë Tahiri e ka udhëheq betejën”, thotë Haradinaj.

“Ka pasur dallime në UÇK, ka pasur rryma të ndryshme, grupime të ndryshme që janë bashku në luftë”, theksoi ai.

Leave a Response