Lajmet

Propaganda e Serbisë/ Botohet libri me titullin “Gjenocidi shqiptar kundër serbëve të shekullit të 20”, po shpërndahet edhe te shqiptarët

Akademia e Shkencave të Serbisë ka botuar një libër “Gjenocidi shqiptar kundër serbëve të shekullit të 20”, i cili është përkthyer dhe është shpërndarë në disa vende të botës.

Ky botim ka shqetësuar jo pak historianin dhe pedagogun Safet Hasani, i cili e ka cilësuar atë kryekëput si një propagandë.

I ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ai ka treguar se Akademia e Shkencave Serbe ju ka dhënë autorëve të librit 100 mijë euro për ta shpërndarë atë edhe në trojet shqiptare.

Hasani thotë se ky botim është shpërndarë falas, ndaj njerëzit e kanë marrë e kanë lexuar e madje disa historianë e kanë përdorur për studimet e tyre.

“Fatkeqësisht është e vërtetë ajo që them për shkak se falsifikimet nga serbët e kanë shpërndarë anëmbanë. Nuk është çudi që ka depërtuar nëpër territorin e Shqipërisë sepse ka dhe në qytetet e Kosovës sepse shpërndahen pa para.

Libri është botuar në 1988, është ribotuar në 2011 dhe përsëri oër të tretën herë në 2019. Në atë libër shkruhet për gjenocidin shqiptar ndaj serbëve, është një propagandë që Akademia e Shkencave të Serbisë i ka dhuruar autorëve 100 mijë euro për shpërndarje.

Janë shpërndarë pa para mirëpo shqiptarët duke mos ditur se çfarë përmban e kanë marrë. Bëj një kritikë për kolegët e mi historianë sepse në atë libër i referohen dhe në studimet e tyre profesionale që shkruhet për historinë e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi”, u shpreh historiani.

Ai shtoi se këtu qëndron dhe problemi më i madh, sepse gjithë studiuesit shqiptarë të mesjetës i referohen dokumenteve serbë që janë të shkruar dhe falsifikuar pas vitit 1800.

Pavarësisht se ky libër është botuar dhe ribotuar 2 herë të tjerë, asnjëherë nuk ka pasur një reagim nga institucionet shqiptare. Ai thotë se problemi nuk qëndron vetëm tek ky libër, por mbi të gjitha tek dokumentacionet serbe.

“Nuk është problemi vetëm tek librat, problemi është dhe tek dokumentacionet. Ndër dokumentacionet që i janë referuar në këtë libër shkaqet e sfondit të gjenocidit në Kosovë.

Asnjë historian shqiptar që paguhen nga taksapaguesit e shtetit, as në Kosovë dhe as në Shqipëri nuk e kanë kritikuar këtë libër, transmeton lajmi.net.

Kjo është fatkeqësia por në mënyrë institucionale as në Shqipëri dhe Kosovë nuk ka patur gjë për këtë libër dhe është shpërndarë thuajse në të tërë shtetet me ndikim të botës”, tha Hasani.

Ai thotë se në Serbi ka një bibliotekë të tërë me dokumentacione dhe botime të falsifikuara sipas së cilave shqiptarët erdhën nga Shqipëria dhe kryen krime në Kosovë.

Gjithashtu historiani thotë se gjithë vrasjet që janë bërë në Shqipëri, ata i paraqesin sikur janë vrarë serbë.

3 Comments

Lini një Përgjigje te Fahri Xharra Anuloje përgjigjen