Lajmet

Vetëvendosje e Qeveria me arsyetime të ndryshme për dështimin e deklaratës në Samitin e Tiranës

Me arsyetime të ndryshme kanë dalë Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje për dështimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët të krerëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Tiranës.

Qeveria e Kosovës i quajti të pavërteta raportimet e mediave në Serbi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ta nënshkruajë deklaratën “pasi aty nuk ishte shkruar Republika e Kosovës”. Megjithatë, deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi ka thënë, sikur u raportua, se Kurti ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin pasi “nuk ishte njohur subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës”.

“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë. Deklarata është tërhequr nga vetë nikoqiri i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Qeveria të enjten pasdite.

Ndërkaq, në emisionin “Desku” në KTV, duke lavdëruar paraqitjen e Kosovës në këtë Samit dhe propozimin e saj për “bashkëpunim rajonal”, deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashika folur edhe për deklaratën e përfolur.

“Bëri propozime përfituese për të gjitha vendet e painkuadruar në BE. Kjo nuk i pëlqeu Serbisë dhe pati një incident të vogël, që krejt në fund kur është pa marrëveshja e liderëve, me vetë faktin që nuk i është njohur subjektiviteti juridik i Republikës së Kosovës, me emrin e vet Republika e Kosovës, kryeministri Kurti refuzoi ta nënshkruajë atë dokument. Kemi të bëjmë me konsistencë të dëshmuar të një lideri vendas”, ka thënë ai./KTV

Leave a Response